LAJME

Çka pritet nga vizitat e liderëve kosovarë në Greqinë mosnjohëse?

Çka pritet nga vizitat e liderëve kosovarë në Greqinë mosnjohëse?
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Qershor 2022, 16:39

Liderë kosovarë po vazhdojnë të lobojnë në Greqi për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

I fundit që ia ka mësyrë Athinës është kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai nisi sot vizitën zyrtare në këtë vend.

Temë e këtij takimi pritet të jetë edhe njohja e shtetësisë së Kosovës.

Para Konjufcës, për njohje loboi edhe vet shefi i qeverisë kosovare Albin Kurti.

Ai gjatë qëndrimit traditor në këtë shtet në prill tha se të dyja vendet nuk kanë çështje të pazgjidhura mes vete, por kanë një urë që duhet ta kapërcejnë.

““Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë – populli i Kosovës me popullin grek, qeveria e Kosovës me qeverinë greke. Nuk ka çështje të pazgjidhura. Ka një urë të cilën duhet ta kapërcejmë dhe ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën dhe para kësaj, dhe sidomos pas kësaj, do të mund të rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike, por edhe këmbimet tona tregtare”, ishte shprehur Kurti gjatë vizitës së tij në shtetin grek, njofton Klankosova.tv.

Kërkesën për njohje shefi i ekzekutivit kosovar e përsëriti edhe në një takim me shefen e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Vakali, gjatë takimit me Kurtin ishte shprehur e nderuar për detyrën që ka marrë, teksa shtoi se Greqia është mike e sinqertë dhe e fuqishme e Kosovës.

Edhe Davosi i Zvicrës i shërbeu politikanëve nga Kosova që ta kërkojnë njohjen nga Greqia.

”Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror iu drejtova Shtëpisë Greke dhe ftova t’i bashkohemi vendeve të tjera të BE-së për të njohur pavarësinë tonë. Takimet tona, kulturore dhe diplomatike, bëhen më të shpeshta ndërsa shkëmbimi dhe bilanci ynë tregtar rritet”, kishte shkruar Kurti në llogarinë e tij në Tëitter, transmeton Klankosova.tv.

Atje, kreu i qeverisë pati takuar edhe ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Nikos Dendias, të cilit po ashtu ia kërkoi njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

“Greqia i ka njohur dokumentet e Kosovës shumë kohë më parë dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe mes vendeve dhe njerëzve tanë. Në Delphi Forum fola me Nikos Dendias mbi implikimet e sigurisë në Ballkan pas agresionit rus në Ukrainë & nevojën për Kosovën që Greqia të njoh pavarësinë e saj”, pati shkruar Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, si kundërpërgjigje për këtë, Dendias theksoi asokohe se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizimin e vizave për Kosovën, teksa ka shtuar se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për shtetin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe euro-atlanik.

Takim me Dendias në presidencë ka zhvilluar edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani, ku qëllimin e kishte të njëjtë me atë të kreut të ekzekutivit, njohjen e Kosovës nga Greqia.

Osmani në takim me Dendias ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të mira, teksa ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t’i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale mes dy vendeve.

Greqia bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Qipronë dhe Rumanisë mbeten pesëshja evropiane që nuk e ka njohur ende vendin tonë si të pavarur, njofton Klankosova.tv.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika