Home LAJME Çka është Këshilli i Evropës, ku Kosova aplikoi sot?

Çka është Këshilli i Evropës, ku Kosova aplikoi sot?

0
Çka është Këshilli i Evropës, ku Kosova aplikoi sot?

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ajo ka nisur fushata për çështje të tilla si mbrojtja e fëmijëve, gjuha e urrejtjes në internet dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme gjyqësore. Grupi i tij i ekspertëve kushtetues, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për vendet në mbarë botën, transmeton Klankosova.tv.

Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime përmes organeve të pavarura të ekspertëve monitorues. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojnë më dënimin me vdekje.

KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një traktat i krijuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Këshilli i Evropës u krijua më 5 maj 1949 nga 10 vende: Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, të cilave iu bashkuan Greqia dhe Turqia në gusht 1949.

Tani ka 46 shtetet anëtare: Islanda dhe Gjermania (1950), Austria (1956), Qipro (1961), Zvicra (1963), Malta (1965), Portugalia (1976), Spanja (1977), Lihtenshtajni (1978), San Marino (1988) , Finlanda (1989), Hungaria (1990), Polonia (1991), Bullgaria (1992), Estonia, Lituania, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Rumania (1993), Andorra (1994), Letonia, Shqipëria, Moldavia, Ukraina, “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”(1995), Kroacia (1996), Gjeorgjia (1999), Armenia dhe Azerbajxhani (2001), Bosnja dhe Hercegovina (2002), Serbia (2003), Monako (2004) dhe Mali i Zi (2007).

Selia e KE-së është në Strasburg të Francës, teksa gjuhët zyrtare janë anglisht dhe frëngjisht.

Këshilli i Evropës financohet nga shtetet anëtare, teksa kontributet bazohen në popullsinë dhe pasurinë.

Kujtojmë se më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here