Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se kryesia dhe Grupi Parlamentar i këtij subjekti kanë vendosur për ta thirrur mbledhjen e Këshillit Drejtues për të diskutuar për situatën aktuale politike.
Mbledhja është ftuar pasi Gjykata Kushtetuese të mërkurën i dha 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Çitaku në deklaratën për gazetarët ka thënë se respektimi i vendimit të Kushtetueses nuk është çështje diskutimi për PDK-në.
“Ne e patëm mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar të PDK-së. Vendimi ynë është që do ta thërrasim mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda pak ditësh, ku do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik në Kosovë dhe ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme politike që na presin. PDK-ja respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj që për secilin që e ka njohur dhe ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ne asnjëherë nuk është çështje diskutimi”, ka thënë ajo.