Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, më 23.04.2026, ka deklaruar se PDK-ja është munduar që t’i japë vendit president, mirëpo sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nënshtrim të vullnetit politik të deputetëve.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht konstruktive dhe është munduar që vendit t’i japë president, mirëpo çfarë ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje përkatësisht Albin Kurti është subordinim, është nënshtrim i vullnetit politik të deputetëve të zgjedhur karshi tij, e një gjë e tillë nuk ndodh.” – tha ajo.
Nga perspektiva e saj, Çitaku tha se vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve dhe e gjithë përgjegjësia, siç ka thënë ajo, është e LVV-së dhe kryeministrit Kurti i cili kishte paralajmëruar zgjedhjet menjëherë pas 28 dhjetorit 2025.
“Tashmë është e qartë, vendi pashmangshëm po shkon drejt zgjedhjeve mirëpo është vetëm një adresë e përgjegjësisë e ajo është Lëvizja Vetëvendosje. Zgjedhjet që pritet të mbahen tani në qershor janë paralajmëruar nga z.Kurti menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të mbajtura të dhjetorit, dhe kjo është e qartë. Ka bërë një kalkulim të gabueshëm, ka pritur që opozita do t’i nënshtrohet dhe siç po shihet nga deklarimet e tij ai sërish pret që opozita do t’i nënshtrohet, por PDK nuk i nënshtrohet vullnetit politik të Albin Kurtit.” – shtoi ajo para mediave.
Krizën të cilën po vazhdon të ndeshet Kosova që nga fillimi i janarit 2025, Çitaku e cilësoi si të pakuptimtë duke thënë se do duhej folur për tema tjera.
“Është tërësisht e pakuptimtë që tani e dy vite ne flasim për emra të përveçëm të pushtetarëve, kush është kryeparlamentar, kemi humbur muaj të tërë këtu, kush do të bëhet president e nuk flasim për hallet e vërteta të qytetarëve.” – përfundoi Çitaku.
Për çështjen e presidentit ka folur edhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Ajo e ka konsideruar si gabim që një javë para se të përmbyllet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur.
Sipas Haxhiut, është dashur që gjithë kjo javë që kemi pasur para vetes të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së një konsensusi për të zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit me mandat pesëvjeçar.
“Kuvendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Unë kam thënë edhe dje që situata aktuale po ngjason me situatën e vitit të kaluar, ku edhe përkundër faktit që kishte takime nuk kishte vullnet, as minimumi i vullnetit për të dalur nga ngërçi apo bllokada e krijuar nga viti i kaluar. “ – tha Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu e sheh të rëndësishme që palët të reflektojnë dhe të kenë parasysh mesazhin që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit vitin e kaluar.
Partia Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së mbajtur në Këshillin Drejtues ka njoftuar se e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit të Kosovës./Kallxo.com