Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe llogaridhënieje në drejtimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Çitaku, e cila është caktuar ta përfaqësojë Kuvendin në grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kritikuar videomesazhin e Trendafilovës, duke thënë se ai nuk u jep përgjigje shqetësimeve për funksionimin e gjykatës.
“Znj. Trendafilova, pas vitesh heshtjeje ndaj shqetësimeve tona, një video-adresim pa pyetje nuk i mbulon padrejtësitë e kësaj gjykate dhe as ju shkarkon nga përgjegjësia”, ka deklaruar Çitaku.
Sipas saj, nën drejtimin e Trendafilovës, Gjykata Speciale ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Ajo ka përmendur mungesën e transparencës, llogaridhënien e pamjaftueshme dhe shqetësimet për respektimin e të drejtave të të akuzuarve.
“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka shtuar se pavarësia e gjykatës nuk nënkupton mungesë përgjegjësie dhe se përbërja ndërkombëtare e trupit gjykues nuk garanton, sipas saj, vendime të drejta.
“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka deklaruar Çitaku.
Nënkryetarja e Kuvendit i ka kërkuar Trendafilovës të dalë para gazetarëve dhe t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara.
“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë. Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e ‘dezinformimit’, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar”, ka thënë ajo.
Çitaku ka paralajmëruar vazhdimin e mbështetjes për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procedurat e apelit, duke theksuar se kundërshtimi i vendimeve që konsiderohen të padrejta do të bëhet përmes mjeteve ligjore dhe institucionale.
“Kosova nuk do të heshtë dhe as do të ndalet. Do ta mbështesim mbrojtjen e çlirimtarëve në apel dhe do ta kundërshtojmë çdo padrejtësi me të gjitha mjetet ligjore e institucionale”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Çitaku ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke kritikuar mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale.
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!”, ka përfunduar Çitaku.
Reagimi i saj vjen pasi Trendafilova, përmes një videomesazhi, ka mbrojtur pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe ka deklaruar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve mënyrën se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin.