Aksidentet e shumta në komunikacion ‘përgjakën’ rrugët e Kosovës ditët e fundit, duke shkaktuar shumë viktima dhe të lënduar.
Një familje katër anëtarëshe nga Ferizaj u shua plotësisht pas një aksidenti që ndodhi ditë më parë në fshatin Koshare të këtij Ferizajt.
Edhe pasditja e djeshme po ashtu u shoqërua me aksidente të rënda në Komaran dhe Istog ku pati shumë të lënduar dhe dëme materiale.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, duke folur në lidhje me situatën e krijuar ditët e fundit, rënditi një sërë faktorësh që po qojnë në një numër të lartë të aksidenteve.
“Faktorët që shkaktojnë aksidentet janë faktori njeri, faktori rrugë, faktori automjet, faktori komunikacion dhe faktori incident” tha Dedaj për “Gazeta Blic”.
Tutje Dedaj tha se duhet të merren disa masa emergjente për përmirësimin e situatës në komunikacion.
Dedaj tha se duhet të krijohet një strategji 10 vjeçare në komunikacion, strategji e cila të zbatohet nga institucionet qeveritare.
“Së pari duhet të krijohen institucionet e sigurisë së komunikacionit pastaj të krijohet strategjia 10- vjeçare, strategji të cilën duhet ta ekzekutojnë institucionet qeveritare në mënyrë që të zvogëlohen numri i aksidenteve për 50%’ deklaroi ai.
Nol Dedaj, ekspert komunikacioni Nga Policia e Kosovës vazhdimisht po bëhet apel për kujdes për drejtuesit e automjeteve.
“Policia e Kosovës apelon, kërkon nga pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, polica ka shtuar masat dhe aktivitetet për të rritur sigurinë në trafik. Ndaj kundërvajtësve po zbatohet zero tolerancë, kështu këto ditë kemi numër rekord të ndëshkimeve për shkelësit e rregullave të trafikut. Për tetë ditë të shkuara, janë 13 319 gjoba të shqiptuara, aktivitete do të vazhdojnë, POR kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik respektim i rregullave të trafikut, në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta’ thuhet në njoftimin e Policisë.