Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, kurdo që ato do të mbahen, do t’i sjellin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve angazhime shtesë. Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar gjatë kësaj vere, ka ndryshuar pjesët kryesore të sistemit zgjedhor si për votimin brenda vendit, por edhe atë jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion është në proces e sipër të përgatitjes së akteve nënligjore, përmes së cilave rregullohen çështjet e specifikuara në ligjin e ri.
Sipas ligjit që hyri në fuqi gjatë muajit korrik, në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës, votuesi do të mund të votojë deri në 10 kandidatë për deputetë. Kjo çështje nuk ka ndryshuar në zgjedhjet për Kuvende Komunale pasi Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk është trajtuar në reformën zgjedhore.
Me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, është ndryshuar edhe vendi se ku do të bëhet numërimi i fletëvotime. Sipas ligjit të kaluar, numërimi i fletëvotimeve ishte bërë në vendvotime, por me ligjin e ri, palestrat sportive nëpër komuna do të shndërrohen në hapësira ku do të numërohen ato.
Sipas Elezit, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të vazhdojë të ekzistojë edhe me ligjin e ri dhe se ajo do të shërbejë për numërimin e fletëvotimeve e kusht, fletëvotimeve jashtë Kosovës, rinumërimin eventual të ndonjë vendvotimi si dhe do të tabulohen rezultatet për çdo vendvotim pasi të numërohen fletëvotimet nëpër Qendra Komunale të Numërimit.
Edhe votimi jashtë Kosovës ka pësuar disa ndryshime thelbësore në krahasim me mënyrën se si i njëjti është zhvilluar në të kaluarën. Sipas Elezit, dy janë fazat kryesore të votimit jashtë vendit: Regjistrimi si votues jashtë Kosovës dhe votimi apo dërgimi i fletvotimeve.
Sipas KQZ-së, faza tjetër është votimi në përfaqësi diplomatike apo dërgimi i fletëvotimeve përmes postës, varësisht se për cilën mënyrë është përcaktuar më parë votuesi.
Se sa votues do të mund të votojnë në një përfaqësi diplomatike, kjo gjë ende nuk dihet, pasi sipas KQZ-së përmes akteve nënligjore do të përcaktohen kriteret dhe kushtet që përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike, si dhe do të përcaktohet edhe numri maksimal i votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike.
“Sipas ligjit, KQZ përmes akteve nënligjore do të përcaktojë kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruara në hapësira votimi, si dhe do të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike. Sipas ligjit, KQZ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të bëjë vlerësimin e hapësirave fizike për secilën përfaqësi diplomatike”, tha më tej Elezi. /KP