Në kazermën “Evropianët e Rinj” në Pomozotin për dy javë është realizuar trajnimi i përbashkët me pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në fushën e materieve të rrezikshme udhëhequr nga Defense Threat Reduction Agency (DTRA) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trajnimi përfshinte pjesën teorike dhe punë praktike në menaxhimin e materieve, duke u fokusuar në skenarët e përgatitur, ku pjesëmarrësit treguan aftësitë dhe shkathtësitë e tyre për të zgjedhur problemet dhe për të identifikuar materiet e rrezikshme dhe menaxhimin e tyre.
Pjesëmarrësit u trajnuan në teknikat, taktikat dhe procedurat e punës, marrja e mostrave për të identifikuar materiet, gjithashtu ekspertët e fushës nga SHBA dhe Kosova ndanë përvojat e tyre në zgjidhjen e problemeve me materiet e rrezikshme.
Zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, shoqëruar nga komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade Naim Haziri, vizituan sot pjesëmarrësit në trajnim, ku panë nga afër kushtet e punës dhe mbarëvajtjen e trajnimit.
Me këtë rast gjeneral Cikaqi ka falënderuar instruktorët e DTRA-s, për punën angazhimin dhe kontributin e tyre mbi dhjetë vjeçar në ngritjen e kapaciteteve të Kompanisë së Materieve të Rrezikshme të FSK-së, duke ndihmuar si në aspektin profesional e po ashtu edhe me pajisje specialistike. Zëvendëskomandanti gjithashtu vlerësoi lartë pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se ky bashkëpunim është mjaftë i rëndësishëm duke marrë parasysh rreziqet e njëjta në cilat kalojnë Kosova dhe Maqedonia e veriut, dhe trajnime të tilla ndihmojnë në ngritjen e ndërveprueshmërisë në mes dy vendeve për të operuar me standarde të njëjta të veprimit.
Mbështetja e vazhdueshme nga Ambasada Amerikane në Kosovë përmes DTRA, ka bërë të mundur që pjesëtarët e FSK-së të ngritin kapacitetet profesionale, dhe të jenë të gatshëm për të reaguar në menaxhimin e materieve të rrezikshme jo vetëm në Kosovës por ku do që kërkohet nga shtetet partnere të Kosovës.