Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, e sheh Suedinë si përfaqësuese të fortë me apo pa yllin e Milanit, Zlatan Ibrahimoviq.
Ibrahimoviq i është kthyer përfaqësueses së Suedisë, pesë vjet pasi ishte tërhequr nga përfaqësuesja.
“Suedia ka një ekip të mirë, me apo pa Ibrahimoviqin. Ibra është një lojtar fantastik, por Suedia e ka edhe Dejan Kulusevskin e Emil Forsbergun. Problemi kundër Suedisë nuk është vetëm Ibrahimoviqi, por gjithë ekipi. Duhet të gjejmë zgjidhje si ekip kundër një ekipi të fortë në çdo repart. Shpresoj që ta kemi shpirtin e njëjtë edhe kundër Suedisë, sikurse ndaj Anglisë e {ekisë, për të luajtur lojën tonë dhe jo për t’u mbrojtur. Dua të luajmë lojën tonë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Edhepse pa Amir Rrahmanin, kundër Suedisë ne do të gjejmë zgjidhje. Mungesa e Rrahmanit na komplikon punën si ekip. Por, duhet të jemi të gatshëm”, ka thënë Challandes në konferencë për media.
Kosova e hap ciklin eliminator për Botërorin 2022 me ndeshjen kundër Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 28 mars. Më 31 mars më pas luan në udhëtim ndaj Spanjës. Por, fillimisht Kosova luan nesër miqësore kundër Lituanisë.