Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challanes, e ka quajtur përballjen me Spanjën, speciale dhe shumë të vështirë. Megjithatë, ai ka thënë se edhe Kosova duhet të përballet me Spanjën, një për kundërshtarët më të fortë të mundshëm.
Dueli mes Spanjës dhe Kosovës, zhvillohet të mërkurën prej orës 20:45 në Prishtinë dhe i takon Grupit B kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Ndeshja me Spanjën është speciale dhe shumë e vështirë. Nëse do të varej prej meje do të kërkoja nga FIFA që Spanjën mos ta kemi asnjëherë në grupe. Por ta lëmë shakanë anash, pasi Spanja është një kundërshtar shumë i fortë. Ka posedimin e topin, presingun e madh dhe çdo kundërshtar ka telashe të mëdha. Por, edhe ne duhet ta provojmë këtë sikurse ekipet tjera”, ka thënë Challandes, i cili ka kërkuar që mos ta pyesin për formacionin kundër Spanjës.
“Ju lutem mos më bëni pyetje për ekipin që do të luaj nesër. E them këtë për dy arsye për këtë. Kemi stërvitjen pas pak dhe pastaj do të shohim gjendjen fizike dhe situatën me lojtarët”.
Challandes ka thënë se është e qartë se është shumë e vështirë për të gjithë që të luajnë kundër Spanjës, dhe jo vetëm për Kosovën.
“Ndeshje speciale, sepse kundër Spanjës duhet të mbrohemi, jo vetëm Kosova por edhe Italia, Kroacia e skuadrat tjera. Dhe, nëse mbrohesh mirë dhe nëpërmjet ndonjë tranzicioni të shpejtë të shënojnë dhe të marrin një rezultat të mirë. Të them se do të fitojmë është shumë vështirë, por duhet të përpiqemi. Për Kosovën është që të ketë një paraqitje të jashtëzakonshme, sepse nuk është ndeshje e thjeshtë, është speciale”, ka thënë ai.
Trajneri Challandes ka thënë se me kundërshtare të fortë si Spanja nuk mund të planifikohet shumë para ndeshjes, pasi sipas tij, është e sigurt se Kosova do të mbrohet gjatë gjithë kohës.
“Ne do të duhet të mbrohemi gjatë tërë kohës, normalisht do të provojmë të dalim dhe të krijojmë aksione kur e kemi topin, por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Një gjë të tillë ndaj Spanjës nuk mund ta bëjë asnjë ekip në botë, sepse është shumë vështirë. Duhet të përfitojmë nga momentet kur e kemi topin. Është e qartë se Spanja është kundërshtare e një niveli shumë më të lartë sesa Greqia e Gjeorgjia”, ka thënë zvicerani.
Ndërsa ka treguar edhe për gjendjen e lojtarëve të cilët do të jenë në lojë, por theksoi se vetëm pas stërvitjes do të merret vendimi.
“Visar Bekaj nuk ka mundësi sepse është pozitiv me koronavirus. Sa i përket Valon Berishës dhe Elbasan Rashanit, do të shohim në stërvitje. Dhe vetëm pas stërvitjes do të marrim një vendim për ta sa i përket duelit me Spanjën. Nuk është lehtë aspak, sidomos pa Halimin e Kastratin e suspenduar. Shpresoj që Berisha e Rashani të jenë në dispozicion. Por, do të shohim pas stërvitjes së çka do të vendosim”.