“Ndryshimet e propozuara ndërlidhen njëkohësisht me çështje kushtetuese, me funksionimin e Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, me marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse, si dhe me procedurat gjyqësore në zhvillim” – thuhet në opinionin e MD-së që i është përcjell sekretarisë së Qeverisë e të cilin e ka siguruar Kallxo.com.
Departamenti ligjor i Ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Shwarz, pas shqyrtimit të projektligjit të iniciuar nga PDK, ka ardhur në përfundim se çështjet e propozuara që kanë të bëjnë me ndryshimin e juridiksionit lëndor, kohor dhe territorial të Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, transferimin e rasteve në gjykatat dhe prokurorinë vendore, ndryshimin e dënimit maksimal të lejuar, çështjen e faljes së personave të dënuar, si dhe ndryshimin e kompetencave të Dhomës se Specializuar të Gjykatë Kushtetuese, nuk paraqesin, në vetvete, kolizion të drejtpërdrejtë me legjislacionin tjetër që rregullon sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Megjithatë, vlerësimi i përputhshmërisë së këtyre ndryshimeve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht me Amendamentin nr.24, si dhe me instrumentet dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, e ratifikuar përmes Ligjit nr. 01/L-274, kërkon shqyrtim të veçantë dhe të specializuar në kuadër të procedurës legjislative në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nga komisionet parlamentare kompetente, me theks nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, në përputhje me fushëveprimin e tyre” – rekomandon MD në opinionin e saj.
Për rrjedhojë, duke marrë parasysh natyrën e veçantë kushtetuese dhe ndërkombëtare të materies që synohet të rregullohet, kjo Ministri ka vlerësuar se ‘Projektligji kërkon vlerësim të mëtejshëm të specializuar në kuadër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku edhe është ndërmarrë nisma legjislative në fjalë’.
Ky opinion bashkë me atë të përputhshmërisë me ‘acquis të BE-së’ dhe vlerësimin e ndikimit buxhetor të projektligjit është pjesë vendimit të miratuar nga Qeveria i cili i është përcjell Kuvendit si përgjigje në kërkesën e parashtruar. Me trajtimin e kësaj çështjeje është ngarkuar Komisioni për Legjislacion si komision përgjegjës raportues i cili obligohet që t’ia paraqes Kuvendit raportin me rekomandime.
Ministria e Drejtësisë thotë se mbetet e gatshme të japë kontributin e saj profesional gjatë diskutimeve dhe procedurës së mëtejshme të shqyrtimit të këtij Projektligji në Kuvendin e Kosovës.
Çfarë përmban projektligji?
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk propozon shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por përcakton kufizimin e juridiksionit të saj dhe transferimin në institucionet e drejtësisë së Kosovës, të rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e saj.
PDK-ja ka propozuar që me anë të këtij ndryshimi në ligj, dënimi maksimal të kufizohet në 15 vjet, dënimet të ekzekutohen në Kosovë, presidenti të ketë kompetencë për falje, puna e Dhomave të jetë subjekt i monitorimit nga organizata ndërkombëtare si dhe kontrolli kushtetues i ligjit të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.
Krahasuar me kornizën ligjore aktuale për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, PDK-ja përmes këtij projektligji fillimisht kërkon që të ngushtohet mandati ligjor i Dhomave të Specializuara vetëm “në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” të 07.01.2011.
Sipas ndryshimeve të propozuara, Specialja do të mund të trajtonte vetëm rastet që lidhen drejtpërdrejt me “nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore”, si dhe vrasjen, torturën apo trajtimin mizor në vendet e ndalimit të përmendura në raport, nëse këto akte kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për marrje organesh.
PDK-ja propozon që Specialja të mos ketë juridiksion mbi “krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike” që nuk lidhen drejtpërdrejt me këto vepra.
Në rastet që nuk përmbushin këto kritere, projektligji parasheh që procedurat të transferohen te gjykatat e rregullta të Kosovës, me arsyetimin se këto gjykata kanë “përgjegjësinë parësore” për trajtimin e krimeve të tjera të kryera në territorin e Kosovës.
Projektligji parasheh që Specialja të ketë juridiksion vetëm për veprat që kanë ndodhur nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000. Në kornizën aktuale ligjore, juridiksioni kohor i Dhomave mbulon periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Sipas projektligjit, dënimi maksimal që do të mund të shqiptohej nga Dhomat e Specializuara do të ishte 15 vjet burgim. PDK-ja propozon që kjo dispozitë të zbatohet edhe për rastet e përcaktuara në dispozitat kalimtare, duke iu referuar parimit të zbatimit të ligjit më të favorshëm.
Ligji aktual lejon që Dhomat e Specializuara të shqiptojnë deri në burgim të përjetshëm. Neni 44 përcakton shprehimisht këtë maksimum.
Ndryshe nga ligji aktual, i cili parashikon që dënimi të vuhet në një shtet që pranon të burgosurit e dënuar nga Specialja, PDK-ja propozon që dënimet të ekzekutohen në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
Një tjetër ndryshim lidhet me faljen.
Projektligji propozon që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara të mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Kosovës.
Projektligji kërkon gjithashtu ndryshim edhe në mënyrën e kontrollit kushtetues.
Sipas propozimit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, do të shqyrtonte kushtetutshmërinë e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ndryshimeve të tij. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të mbetej kompetente për referimet që burojnë nga vendimet, urdhrat apo aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në projektligj, ndër tjera, parashihet edhe krijimi i një mekanizmi të ri të monitorimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare. Kuvendi, sipas këtij projektligji, do të mund të autorizonte organizata ndërkombëtare me përvojë në sundimin e ligjit, drejtësinë penale ndërkombëtare, të drejtat e njeriut ose monitorimin e proceseve gjyqësore.
Në kornizën aktuale, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por kanë kornizë të veçantë ligjore, organizim, funksionim dhe juridiksion të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës dhe Ligjin 05/L-053.
Prioritetet e kundërta
Për Partinë Demokratike të Kosovës miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara është prioritet mbi të gjitha prioritetet. Ky qëndrim është ripërsëritur edhe pas takimit të fundit mes kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza me kryeministrin Albin Kurti më 2 tetor.
Ndonëse më 6 tetor skadon afati për zgjedhjen e presidentit – dhe nëse kjo nuk ndodh – vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, Hamza ka deklaruar se për PDK-në është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i ligjit, pastaj për temat e tjera janë të hapur për bisedime.
Ndryshimi i Ligjit për Specialen është edhe njëra prej kërkesave kryesore të protestuesve që mblidhen në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës që nga 16 shtatori, ditën kur katër ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithësej 81 vjet burgim për krime lufte. Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Veseli u dënua me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim. Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.
Ndryshe nga herët e tjera, një grup protestuesish, në natën e 17-të të protestës kanë shkuar para Ministrisë së Drejtësisë, duke bërë thirrje që projektligji të procedohej sa më shpejt në Kuvend.
Meqë vendi rrezikon të shkoj në zgjedhje shkaku i moszgjedhjes së presidentit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, konsideron se zgjedhja e kreut të shtetit do duhej të ishte më me prioritet në këtë fazë.
“Prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin, sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit, në qoftë se, ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje”- tha ajo më 02.10.2026.
Por me këtë deklaratë ajo nxiti reagimin e përfaqësuesve të PDK-së. Deputetja Vlora Çitaku, si njëra ndër reagueset e para, shkroi në Facebook, se “UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”
“Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë!”- ka shkruar ajo.
Projektligji tashmë është përcjell në Kuvend.
Rregullorja e Punës parashihet edhe mundësia e shqyrtimit në procedurë të përshpejtuar.
Projektligji parashihet që fillimisht të shqyrtohet nga Komisioni për Legjislacion, ndërsa seanca e jashtëzakonshme mund të thirret me kërkesën e 40 deputetëve./Kallxo.com