Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të ketë takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai tha se është në kontakt me të dy kryetarët e partive opozitare.
“Do të ketë takime në javën e ardhshme” – tha shkurt Kurti, më 03.04.2026.
Për këtë çështje ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po bënë maksimumin për të shmangur zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në kohën kur duhet zgjedhur presidenti i ri i vendit.
“Ajo çfarë po bënë Lëvizja Vetëvendosje është maksimumi që të shmangen zgjedhjet dhe njësoj do të vazhdohet deri në ditën e fundit, me propozime e takime. Ne besojmë që zgjedhjet nuk ndryshojnë rezultatin dhe janë harxhime shtesë. Pse të shkohet në gjithë këtë rrugëtim të panevojshëm?”- tha Vitia.
Para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, Kurti pati deklaruar se ftesat për krerët e opozitës do t’i dërgonte qysh më 13 mars 2026, por kjo nuk ndodhi, as pas dy javësh nga ajo kohë.
Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25.03.2026, u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.
Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 04.04.2026.
LVV ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun si kandidatë për president.
Ende nuk dihet nëse do të ketë ndryshime në këto kandidatura./Kallxo.com