Në kampin e Njësive Speciale “Vrella” në Sllatinë sot është organizuar ceremonia e certifikimit të 22 zyrtarëve policorë, të cilët janë trajnuar për mbrojtje të afërt.
Trajnimi është realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Turqisë.
Ministri i Brendshëm në dorëheqje, Xhelal Sveçla tha me këtë rast se kjo ngjarje shënon avancimin e mëtutjeshëm profesional të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Republika e Kosovës sot ka institucione të fuqishme, polici profesionale dhe të avancuar në aspektin profesional. Kjo falë vullnetit të vet pjesëtarëve të policisë së Kosovës, mbështetjes së institucioneve dhe të aleatëve tanë, e ndër ta edhe të Turqisë. Në çdo cep të Kosovës, çdo komponentë e policisë shërben me profesionalizëm falë trajnimeve të vazhdueshme”, tha Sveçla.
Ai theksoi se Policia e Kosovës e ka dëshmuar zbatimin e mandatit të saj me efikasitet dhe se është e gatshme të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe të zmbrapsë çdo plan, apo element destabilizues që rrezikon vendin tonë.
“Certifikimi i pjesëtarëve të mbrojtjes së afërt është tejet i rëndësishëm pasi me njohuritë e fituara në këtë trajnim do të kontribuojnë në aspektin e sigurisë, jo vetëm të personaliteteve të vendit tonë, por edhe të atyre që vizitojnë Republikën e Kosovës”, tha ai
Ndërsa ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı tha se Kosova zë një vend të rëndësishëm për Turqinë. “Ne Kosovën nuk e konsiderojmë vetëm si një vend mik dhe partner , por e konsiderojmë si vend vëlla”, tha ai.
Ai gjithashu përkujtoi të gjithë policët e rënë në detyrë në krye më dëshmorin e fundit, Afrim Bunjaku.
Kurse drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha falënderoi Republikën e Turqisë dhe përfaqësuesit e TIKA-së për mbështetjen e Policisë së Kosovës .
Ai theksoi se pa partneritetin me institucionet ndërkombëtare, sukseset e tilla nuk do të ishin të arritshme në të njëjtën masë.
Hoxha tha se presin edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin mes dy policive.