LAJME

Certifikohen 18 operatorë të Njësive Speciale të Policisë në mjekësinë emergjente

Certifikohen 18 operatorë të Njësive Speciale të Policisë në mjekësinë emergjente
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Tetor 2026, 16:11

Tetëmbëdhjetë operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës janë certifikuar pas përfundimit me sukses të trajnimit njëmujor “Avancimi i njohurive bazike në mjekësinë emergjente”, i cili u realizua në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ceremonia e ndarjes së certifikatave u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku u vlerësua rëndësia e këtij trajnimi për avancimin e aftësive praktike të pjesëtarëve policorë në ofrimin e ndihmës së parë dhe reagimin në situata emergjente.

Sipas Policisë, trajnimi kishte për qëllim pajisjen e operatorëve me njohuri dhe shkathtësi praktike për përballimin e rasteve të ndryshme emergjente shëndetësore në terren, duke ndikuar në rritjen e gatishmërisë operative dhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin profesional të personelit policor.

Kolonel Taibe Canolli dhe kolonel Mentor Shabani, në emër të Policisë së Kosovës, falënderuan SHSKUK-në, veçanërisht Klinikën Emergjente, për mbështetjen dhe përkushtimin profesional në realizimin e trajnimit.

“Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së pjesëtarëve policorë për reagim të shpejtë dhe efektiv në situata emergjente, me synim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe SHSKUK-ja ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika