Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Hajrulla Çeku, është shprehur thellësisht i prekur pasi zjarri përfshiu ndërtesën e Muzeut të Muzikës në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çeku ka thënë se Taphanja do të restaurohet dhe do të kthehet në gjendjen origjinale.
I njëjti ka pohuar se të gjithë përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.
“Jemi thellësisht të prekur nga krimi i mbrëmshëm ndaj trashëgimisë kulturore të Gjakovës. Të gjithë përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar. Ndërtesa e Muzeut të Muzikës, aseti Taphanja në Gjakovë do të restaurohet dhe do të kthehet në gjendjen origjinale. Pas restaurimit, si ministri do t’i marrim të gjitha masat për funksionalizimin e muzeut”, shkroi ministri Çeku.
Ndryshe, zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se nuk është raportuar për njerëz të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
“Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe Njësia e Zjarrfikësve të cilët janë duke bërë përpjekje për lokalizimin e zjarrit. Nuk është raportuar për pasoja në njerëz”, ka thënë Elezaj.