Vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në atë të asocuar, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, e ka quajtur lajm të mirë për vendin.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, teksa Çeku ka thënë se i është gëzuar këtij lajmi, ai ka komentuar edhe dështimin e përpjekjeve të vazhdueshme serbe për ta penguar këtë proces.
“Pa dyshim se është një lajm i mirë për Kosovën sepse Kosova gradualisht po e zë vendin e vet në organizatat ndërkombëtare aq më mirë këtë fakt e bën dështimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë që ta pengojë avancimin e statusit të Kosovës. Kështu që Kosova gradualisht po hyn në NATO, në struktura të NATO-s edhe pse kjo është një organizatë, nuk është drejtpërdrejt e NATO-s, por është afër ku vendet mund ta shprehin qëndrimin e tyre… I jam gëzuar këtij lajmi”, ka thënë Çeku.





