Gjykata Themelore në Prizren konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin F.B., e cila mund të zgjasë deri më datën 22.02.2026 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik,
“Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, më datë 22.01.2026, ka lëshuar URDHËR, për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy (2) javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës. Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet tutje në njoftimin zyrtar nga Gjykata e Prizrenit.