Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 2 milionë eurove shtesë për mbështetjen e linjave ajrore që lidhin mërgatën me vendin.
Sipas Cakollit, ky vendim përbën, siç e ka cilësuar ai, “qershinë mbi tortë” në keqpërdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale.
Ai ka vlerësuar se kjo praktikë, sipas tij, nuk ndalet vetëm në shkelje të mundshme ligjore, por cenon drejtpërdrejt parimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike”, ka deklaruar Cakolli.
IKD ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me përdorimin e fondeve publike në periudha zgjedhore, duke kërkuar respektim të standardeve të barazisë dhe transparencës në procesin zgjedhor.