Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka thënë se procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve është duke shkuar ngadalë.
“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve duhet ta përmbyllë punën e saj sa më shpejt, duke hapë rrugë edhe për rinumërime dhe procedura të tjera. Nga 494 vendvotime tashmë janë proceduar vetëm rreth 25 përqind e tyre. Nga mëngjesi deri pasdite janë rinumëruar vetëm rreth 25 vendvotime që është numër shumë i vogël në krahasim me numrin e atyre që duhet të rinumërohen”, është shprehur Cakolli.
“Duhet të rritet numri i tavolinave për rinumërim”, ka shtuar ai.
Në Info Magazine ai ka folur edhe për rezultatet që tregojnë deri tash se parti politike kanë marrë vota në rajone në të cilat nuk kanë numër të banorëve të atij komuniteti prej të cilit vijnë ato.
Rasti është më iniciativën e Adriana Hoxhiq që ka marrë numër të konsiderueshëm votash në komunat veriore.
“Këto zgjedhje janë karakteristike për faktin se është shënuar një nga daljet më të mëdha në komunat në veri të vendit që ka qenë mbi 80 përqind, që i bie gati dyfishi i mesatares në nivel vendi. Lista e Adriana Hoxhiq ka fituar 87 përqind votave të saj vetëm në komunat me shumicë serbe, ndërsa në Prizren dhe Pejë ku ka boshnjakë ka fituar 0.85 përqind të totalit të votave të saj”.