Burns takohet me presidenten dhe shefin e AKI-së, detajet e para nga vizita e shefit të CIA në Kosovë

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht.

Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kryeqytet. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë

Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.

Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.

Fotot nga Radio Evropa e Lirë./GazetaSinjali/

Next Post

Të Fundit

isim değiştirme

- mersin escort