Shkëndija është kampion në futboll për sezonin 2020/2021 në Maqedoninë e Veriut.Me 75 pikë të grumbulluara në 33 xhiro, KF Shkëndija në krye me trajnerin shqiptar, Ernest Gjoka fitoi titullin kampion në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në fazën e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.
Shkëndija ka qenë një prej skuadrave më të mira shqiptare viteve të fundit dhe kjo dëshmohet me titujt e fituar dhe paraqitjet pozitive në garat evropiane.
Një prej lojtarëve kyç të Shkëndijës këtë sezon është edhe mesfushori 28 vjeçar, Bruno Dita.Dita, i cili u transferua në merkaton e verës 2020 tek KF Shkëdija shijoi titullin kampion me Shkëndijën, teksa shtoi se puna, mundi dhe sakrifica u shpaguan.
“Normalisht ndihem shumë mirë, sepse puna, mundi dhe sakrifica e një viti u konkretizua me titullin kampion, gjë që e kishim synim parësor që në fillim të kampionatit. Është bukur kur e mbyll si kampion”, tha fillimisht Bruno Dita për ‘GazetaBlic Sport’.
Klubi i Lazim Destanit ka vite që ka për synim që të kualifikohet në grupet e një prej garave evropiane që organizon UEFA. Mesfushori i Shkëndijës, Bruno Dita tha se të gjithë në klub besojnë që mund ta bëjnë hapin e madh në këtë drejtim.“Kam besim jo vetëm unë, por gjithësecili në ekip që Shkëndija do bëjë atë hapin e madh që për mungese fati këto vitet e fundit nuk e ka arritur. Mendoj se i kemi cilësitë dhe shanset që të synojmë grupet e një kompeticioni madhor të UEFA’s’”, vazhdoi 28 vjeçari.Në fund, Bruno Dita falënderoi tifozët e flaktë të klubit, “Ballistët”, për përkrahjen e madhe, ndërsa i ‘premtoi’ që ekipi kuq e zi ka shanset që të bëjë historinë në Evropë.Ai normalisht shtoi se po “Ballistët” po i mungojnë Shkëndijës, pasi sipas tij janë ndër tifozeritë më të zjarrta në trojet shqiptare.“Të vazhdojnë të na përkrahin me zemer siç kanë bërë deri tani, sepse ky ekip i ka shanset që të bejë historinë dhe në Europë. Na mungojnë shumë në shkallet e stadiumit, pasi dihet që janë një nga tifozeritë më të zjarrta të trojeve shqiptare dhe do të thoja që bëjnë një super atmosfere dhe ne futbollistëve na japin një motivim ekstra në fushën e blertë”, përfundoi Dita.