Mbretëria e Bashkuar ka shprehur mbështetjen për familjet e personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, duke mirëpritur punën e institucioneve kosovare për gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në një reagim në Facebook ka thënë se qëndron pranë familjeve të personave të zhdukur dhe mbështet përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre, pas shumë vitesh pasigurie.
“Mbretëria e Bashkuar qëndron me familjet e atyre që ende janë të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe mbështet përpjekjet për të gjetur përgjigje për ta, pas shumë vitesh pasigurie”, thuhet në reagim.
Londra ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për gjetjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin Potokut, si dhe ekzaminimet forenzike dhe testimet e ADN-së që synojnë identifikimin e tyre.
Mbetje mortore të 23 personave u gjetën në tri varre masive në Zubin Potok, nis faza e identifikimit përmes ADN-së
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se mbetjet mortore të gjetura gjatë gërmimeve në Zubin Potok përkojnë me atë që njihet si “Grupi i intelektualëve”, i zhdukur në veri të Kosovës gjatë luftës.





