Brigada e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prizren është pajisur me pajisje të reja dhe moderne për reagim në aksidentet e komunikacionit. Këtë e ka bërë të ditur komandanti i kësaj brigade, Flamur Hoti.
Sipas Hotit, pajisjet janë siguruar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e cila ka pajisur me mjete të tilla të gjitha njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit në Kosovë.
Pajisjet e reja mundësojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe më të sigurt, si dhe lehtësojnë punën e ekipeve, veçanërisht gjatë nxjerrjes së personave të bllokuar në automjete pas aksidenteve.
Ndërkaq, gjatë periudhës së fundit, Brigada e Zjarrfikësve në Prizren është pajisur edhe me dron me kamerë termike për zbulim dhe monitorim në zona me rrezikshmëri të lartë dhe vështirësi qasjeje, si dhe për identifikimin e vatrave të zjarrit. Po ashtu, kapacitetet e saj janë shtuar me automjete 4×4 për terrene malore, kamion me shkallë të larta dhe pajisje të tjera për ndërhyrje emergjente.