Qeveria e re e cila pritet të formohet pas zgjedhjeve të nesërme duhet të ketë në fokus ekonominë, veçanërisht adresimin e sfidave që i ka Kosova ndër vite, papunësinë, deficitin tregtar dhe sanimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.Këto sugjerime për ekzekutivin e ri i ka adresuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti, i cili thotë se sektori bankar ka pasur dhe vazhdon ta ketë rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike.
Guvernatori Mehmeti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se BQK pret që për vitin 2021 vendi të ketë një rritje ekonomike prej 4 përqind, gjithnjë nëse situata me pandeminë shkon drejt përmirësimit.
“Sugjerimet tona si Bankë Qendrore, BQK edhe me ligj është këshilltar i qeverisë, janë që qeveria e ardhshme fokus duhet ta ketë ekonominë, me qëllim që të kemi një rritje sa më të madhe ekonomike. Një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe njëkohësisht një rritje e cila përpos që adreson sfidat që i ka pasur ndër vite Kosova, që është papunësia, deficit i lartë tregtar, njëkohësisht i sanon edhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, theksoi Mehmeti.Guvernatori i BQK-së beson se nëse vihet nën kontroll pandemia përmes vaksinimit deri në gjashtëmujorin e parë, sivjet pritet të ketë një rikthim të rritjes ekonomike.Mehmeti po ashtu thotë se tkurrja ekonomike prej -7.2 përqind për vitin që lamë pas ka shkaktuar dëme të mëdha në humbjen e mijëra vendeve të punës, në uljen e konsumit, të investimeve dhe mungesës së parasë në treg.
“Shpresëdhënës është fakti që vaksina është zbuluar dhe pritjet janë që të përmbyllet pandemia sa më shpejt që është e mundur. Parashikimet tona janë që në këtë vit të kemi një rritje ekonomike përafërsisht rreth 4 përqind, por gjithmonë varet prej pandemisë. Ne presim që në gjashtëmujorin e parë, gjithnjë sipas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, mirëpo në rast se në gjashtëmujorin e parë mbyllet çështja e pandemisë, me siguri që gjashtëmujori i dytë do të reflektojë me një rritje ekonomike”, thotë Mehmeti.Mehmeti duke treguar për rrjedhën e të hyrave nga diaspora, ka thënë se përkundër pandemisë remitencat kanë vazhduar trendin rritës, sipas tij gjatë vitit 2020 dërgesat ishin rreth 1 miliard euro.





