LAJME

Konjufca: Shteti i Kosovës do t’i mbështesë krerët e UÇK-së në procesin e apelit në Hagë

Konjufca: Shteti i Kosovës do t’i mbështesë krerët e UÇK-së në procesin e apelit në Hagë
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Tetor 2026, 20:22

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore për procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një njoftimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.

Ai ka theksuar se synimi është që krerët e luftës çlirimtare të kenë mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës gjatë procesit të apelit.

“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Konjufca.

Kreu i diplomacisë kosovare ka theksuar gjithashtu se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën e luftës së UÇK-së në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojë, siç është shprehur ai, çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

Sipas Konjufcës, çështja e UÇK-së tejkalon dallimet politike, ndërsa institucionet shtetërore dhe partitë politike kanë përgjegjësi të përbashkët për të qëndruar të bashkuara në këtë proces.

“UÇK-ja na bashkon të gjithëve përtej dallimeve, sepse lufta e saj çlirimtare qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika