Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, ka përfunduar vullnetarisht veprimtarinë bankare të shërbimit me klientë.
Sipas njoftimit të BQK-së, ky veprim rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar.
Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së më 6 tetor 2023 për t’u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të gjitha nëndegëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024.
“Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, ishte licencuar nga BQK për operim në vitin 2007 dhe ka operuar me degën në Mitrovicë dhe tetë nëndegë në territorin e Kosovës.
“Pas kalimit të afatit të paraparë për operime bankare me qytetarë, me fundin e ditës së datës 31 janar 2024, janë përmbyllur të gjitha depozitat bankare ndaj qytetarëve, ndaj BQK-ja konstaton pushimin e aktivitetit të kësaj degë bankare në Kosovë. Procedurat tjera të arkivimit të dokumentacionit dhe aspekteve të ndërlidhura, realizohen në pajtim me legjislacionin në fuqi” – ka njoftuar Banka Qendrore e Kosovës.
BQK ka falënderuar grupin bankar “NLB” për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në lehtësimin e procedurave për këtë përmbyllje të dakorduar dhe vullnetare të aktivitetit bankar me klientë, në respekt të ligjeve të vendit dhe praktikave më të mira dhe brenda afateve të pajtuara.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, aktualisht operon numër i mjaftueshëm i zyrave bankare, institucioneve financiare dhe jobankare që mbulojnë arsyeshëm nevojat e komunitetit në të gjitha qytetet e vendit.
Përveç zyrave bankare dhe jobankare me prezencë fizike, edhe kanalet elektronike/digjitale të shërbimit janë të qasshme dhe ofrojnë produkte konkurruese.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës angazhohet për rritjen e qasjes në financa për të gjitha kategoritë shoqërore dhe në të gjithë territorin e shtetit, prandaj edhe inkurajon të gjitha institucionet financiare të licencuara që të rrisin prezencën e tyre me degë fizike dhe pajisje elektronike në mënyrë që t’u ofrohet qasje sa më e plotë dhe konkurruese të gjithë qytetarëve tanë.