LAJME

BQK dhe ATK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e integritetit financiar

BQK dhe ATK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e integritetit financiar
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Qershor 2026, 13:23

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që synon avancimin e shkëmbimit të informacionit, forcimin e koordinimit institucional dhe mbështetjen e mekanizmave që kontribuojnë në stabilitetin dhe integritetin financiar të vendit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Guvernatori i Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Administrata Tatimore e Kosovës, Mentor Hyseni.

Sipas njoftimit, marrëveshja përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fushat me interes të përbashkët, duke krijuar një bazë më të strukturuar për shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve relevante, koordinimin e aktiviteteve institucionale dhe mbështetjen e analizave që lidhen me stabilitetin financiar dhe zhvillimet makroekonomike.

Po ashtu, bashkëpunimi synon të kontribuojë në luftimin e ekonomisë joformale dhe adresimin e veprimtarive që mund të cenojnë integritetin financiar dhe ekonomik të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, BQK do të ketë qasje më të zgjeruar në informacione të rëndësishme për mbikëqyrjen financiare dhe analizat institucionale, ndërsa ATK do të përfitojë nga mbështetja në administrimin tatimor, analizën e rrezikut dhe identifikimin më efikas të veprimtarive joformale apo shmangieve fiskale.

Dy institucionet vlerësojnë se marrëveshja do të përmirësojë cilësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, do të shmangë fragmentimin institucional dhe do të mundësojë reagim më të koordinuar ndaj çështjeve me interes të përbashkët.

Aspektet teknike të zbatimit, përfshirë format e shkëmbimit të të dhënave dhe përgjegjësitë operative, do të rregullohen përmes procedurave standarde operative në përputhje me legjislacionin në fuqi.

BQK dhe ATK theksojnë se, në kushtet e zhvillimeve të vazhdueshme në sektorin financiar, digjitalizimit të shërbimeve dhe avancimit të infrastrukturës së pagesave, kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe rritjes së kapaciteteve për përballimin e sfidave të përbashkëta, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika