Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka folur për tensionet në veri të Kosovës, në konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.
Ai ka thënë se situata aktuale nuk është e pranueshme, ndërsa ka theksuar se u ka bërë kërkesë shteteve anëtare që të përforcojnë EULEX-in me trupa shtesë, nëse është e nevojshme dhe se kjo kërkesë ka hasur në mirëkuptim nga shtetet.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk është diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të mbarojë e barrikadat duhet të largohen. Qetësia duhet të kthehet. Këshilli qartë u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe frenim nga veprimet e dhunshme e provokative. I kam kërkuar shteteve anëtare që të jenë të gatshme të dërgojnë më tepër njësite në misionin tonë të EULEX-it. E shumë nga to janë pajtuar e kanë shprehur gatishmëri për të rritur kapacitetet nëse është e nevojshme”, ka thënë Borrell.





