Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se është i lumtur që është gjetur zgjidhja për lëvizjen e lirë mes Kosovës e Serbisë.
Borrelli përmes një videoeje të publikuar në Twitter pas arritjes së marrëveshjes, ka falënderuar liderët politikë të Kosovës e Serbisë, Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiqin dhe SHBA-në.
“Jam i lumtur të njoftoj, se pas takimit të Brukselit dhe pas angazhimeve në Prishtinë e Beograd ditët e fundit kemi marrëveshje të lëvizjes së lirë mes presidentit, Aleksandër Vuçiq e kryeministrit Albin Kurti. Në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar të heqë dokumentet hyrje/dalje për ata me ID të Kosovës e Kosova të mos prezantojë dokumente hyrje/dale për ata me ID të Serbisë. Serbët e Kosovës, e gjithë qytetarët do të jenë të gjendje të lëvizin lirshëm duke përdorur ID-të. BE-ja ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Jam shumë i lumtur që kemi gjetur zgjidhje evropiane, që ndihmon udhëtimin mes Kosovës e Serbisë. Është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës e Serbisë. Dua të falënderojë dy liderët që e bënë këtë. E veçanërisht presidentin Vuçiq që ka treguar përgjegjësi e lidership sot”, ka thënë Borrell.
Megjithatë ai ka shtuar se problemet nuk përfundojnë këtu, pasi duhet të gjendet një zgjidhje edhe për targat.
“Por kjo punë me lirinë e lëvizjes s’ka mbaruar. Ka disa probleme ende. Pres që dy liderët të tregojnë pragamtizëm e konstruktivitet, për të zgjidhur problemin me targa. Kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që BE-ja që po përballet, ne në Evropë nuk kemi nevojë për probleme, nuk kemi nevojë për tensione. Duhet zgjidhje, duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Ka disa probleme që kanë mbetur, duhet të vazhdojmë të punojmë për të zgjidhur. Sot është ditë shumë e mirë”, ka përfunduar Borrell.
