Iniciativa “Kosova Bojkoton” ka bërë thirrje për bojkotin e të gjitha supermarketeve në Kosovë gjatë ditës së sotme, për shkak të ngritjes së çmimeve.
Aktivistët e iniciativës kanë shpalosur ditë më parë një pankartë me mbishkrimin “15 Mars, Kosova bojkoton, të gjitha supermarketet” ndërsa u theksua se përmes bojkotit tregojnë fuqinë e tyre blerëse dhe se dërgojnë një mesazh tek supermarketet dhe qeveria për pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve.
Xhevat Kastrati, anëtar i kësaj Iniciative, ditë më parë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij bojkoti duke treguar fuqinë blerëse, për t’u dërguar mesazh supermarketeve dhe qeverisë që janë të pakënaqur me çmimet e larta.
“Thirrja për qytetarët është që të bashkohen me ne dhe të ngrisin zërin edhe përmes një bojkotit të tregojnë fuqinë tonë blerëse për shkak se kur të gjithë bashkohemi në bojkot ne dërgojmë një mesazh te marketet, qeveria që jemi shumë të pakënaqur dhe po ashtu e bëjmë një lloj presioni shoqëror për të pasur një reagim. Kemi pasur përkrahej shumë enorme në rrjetet tona sociale, mirëpo nuk i kemi të dhënat e sakta sa ka pasur përkrahje në terren, po shpresoj që tash kemi marr ma shumë përkrahje, kjo është për të mirën e përbashkët”, ka deklaruar Kastrati.