LAJME

“Bllokadat janë inekzistente”, Kurti thotë se shumë shpejt do ta takojë presidenten Osmani

“Bllokadat janë inekzistente”, Kurti thotë se shumë shpejt do ta takojë presidenten Osmani
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Dhjetor 2025, 12:18

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se shumë shpejt do ta takojë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka deklaruar se do të kandidojë edhe për një mandat si presidente e vendit, e për këtë Kurti tha se së pari do të presin konstituimin e Kuvendit dhe më pas do të ecin tutje.

“Ne së pari do të presim që të certifikohen rezultatet duhet te konstituohet Kuvendi të shohim përbërjen e legjislaturës së re dhe me pastaj të ecim tutje. Por, ashtu siç kam thënë sot është dita e fundit e vitit 2025, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë bashkë për rrugën përpara. Keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes”, tha ai pas vizitës në Telekomin e Kosovës.

I pyetur për mundësi bashkëpunimi me ndonjë parti politike, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit është i qartë, dhe se tashmë pengesat për formimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.

“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur se do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit por duket se po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit 2021. Bllokimi në formimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.

Më 28 dhjetor në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku e para u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 49.3%./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika