Bjellorusia ka vendosur forca të operacioneve speciale përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, ka njoftuar të hënën Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e fundit të inteligjencës së saj mbi situatën në Ukrainë.
Prania e forcave bjelloruse pranë kufirit besohet se është bërë që të ndalojë trupat ukrainase të vendosen në mbështetje të operacioneve në Donbas, raportoi të hënën BBC-ja.
Ukraina kufizohet në veri me Bjellorusinë, ndërkohë që luftimet e mëdha me rusët po zhvillohen në lindje të vendit. Kësisoj, Bjellorusia si aleate e Rusisë, po i bën nder këtij vendi, duke e shtyrë Ukrainën të mendojë edhe për pjesën veriore.
“Janë vendosur njësi të mbrojtjes ajrore, artilerie dhe raketash në poligonet e trajnimit”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Deri më sot forcat bjelloruse nuk kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, por Bjellorusia ka lejuar që përmes territorit të saj, Rusia të sulmojë Ukrainën.
Sipas ministrisë britanike, presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko pritet të shmangë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë ushtarake për shkak të rrezikut prej sanksioneve perëndimore.