Partitë politike duhet të vendosin interesin e Kosovës dhe të ardhmen e rinisë në qendër të vendimeve të tyre. Negociatat për formimin e qeverisë duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia dhe vizioni për një Kosovë më të fortë, më të integruar dhe me mundësi më të mira për të rinjtë. Njerëzit kanë frikë nga më shumë “e së njëjtës gjë”, nën udhëheqësinë aktuale, por mbeten jashtëzakonisht plot shpresë për një ndryshim për të mirë dhe për një të ardhme më të ndritur për të gjithë kosovarët.
Presidenti Trump e vlerëson ndjeshmërinë e marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dhe ndikimet shumë serioze që një konflikt mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit. Trump e kupton rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të arrihet vetëm përmes partnerëve të fortë dhe të besueshëm nga të dyja palët. Këto janë mesazhet që i përcjellë Gjokë Paloka, – biznesmen shqiptaro-amerikan, anëtar i rezidencës “Mar-a-Lago” të presidentit të ShBA-ve Donald Trump, si dhe themelues njëherësh drejtor ekzekutiv i “London and Carlyle Capital Management”, firmë e specializuar në menaxhimin e pasurisë dhe investimeve private, – në intervistën ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net
Reporteri.net: Disa ditë para zgjedhjeve keni qëndruar në Kosovë. Gjatë kësaj kohe patët takim me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, z. Bedri Hamza, ndërsa të dielën që lamë pas Kosova ka votuar për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve të saj për 4 vitet e ardhshme. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, aktualisht në vend të parë është LVV, pasuar nga PDK, LDK, dhe AAK-NISMA, çka prodhuan zgjedhjet?
Gjokë Paloka: Unë kam zhvilluar takime edhe me drejtues të partive të tjera, jam takuar me kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, me kryetarin e AAK-së z. Ramush Haradinaj, si dhe e kam pasur kënaqësinë dhe nderin të takohem edhe me presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani. Jam impresionuar jashtëzakonisht shumë nga të tre kandidatët pro ShBA, si dhe nga presidentja e Kosovës. Në veçanti, jam takuar disa herë me Bedri Hamzën dhe ndjej se krijuam një lidhje të veçantë. Ndershmëria dhe sinqeriteti i tij më kanë lënë personalisht përshtypje. Besoj se do të ruajmë një miqësi të mirë për një kohë të gjatë.
Nga vëzhgimet e bëra para dhe pas zgjedhjeve parlamentare por edhe nga takimet që keni zhvilluar në Kosovë. Si iu duk fryma?
Gjokë Paloka: Kam parë se ekziston një frymë me plot optimizëm për të ardhmen e Kosovës. Ne jemi popull që e ka një histori të gjatë me pengesa të cilat fare lehtë kanë mundur t’i fshijnë shqiptarët e Kosovës nga librat e historisë. Por ne si popull kemi qëndruar gjithmonë, si dhe do të qëndrojmë edhe pas këtyre zgjedhjeve. Njerëzit kanë frikë nga më shumë “e së njëjtës gjë”, nën udhëheqësinë aktuale, por mbeten jashtëzakonisht plot shpresë për një ndryshim për të mirë dhe për një të ardhme më të ndritur për të gjithë kosovarët.
A shihni mundësi për ndryshim në qeverisje?
Gjokë Paloka: Po, ekziston mundësia për ndryshim në qeverisje, por kjo varet nga marrëveshjet mes partive. Asnjë parti nuk ka shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, prandaj duhet të krijohen koalicione. Për momentin, gjithçka varet nga negociatat mes partive. Shpresojmë që partitë politike do të vendosin interesin e Kosovës dhe të ardhmen e rinisë në qendër të vendimeve të tyre. Është thelbësore që negociatat për formimin e qeverisë të udhëhiqen nga përgjegjësia dhe vizioni për një Kosovë më të fortë, më të integruar dhe me mundësi më të mira për të rinjtë tanë.
Pavarësisht sfidave, është koha për lidership të pjekur dhe bashkëpunim që do ta afrojë Kosovën më shumë me organizatat ndërkombëtare dhe do të forcojë pozitën tonë në arenën globale. Uroj që vendimet e ardhshme të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.
Duke qenë se që njëzet vjet jeni anëtar i rezidencës “Mar-a-Lago” të presidentit amerikan Donald Trump, na tregoni për qëndrimin e tij për Kosovën dhe politikanët kosovarë?
Gjokë Paloka: Është shumë me rëndësi t’ju informoj se unë në Kosovë nuk kam ardhur zyrtarisht, ose në një kapacitet formal që të flasë zyrtarisht për presidentin Trump. Unë po shprehem në emrin tim personal, si individ dhe si një biznesmen shqiptaro-amerikan. Është një nder i madh për mua të jem një pjesë e vogël dhe anëtar për një kohë të gjatë i “Mar-a-Lago”, e njohur gjithashtu si “Shtëpia e Bardhë e dimrit.”
Djali im pati kënaqësinë të fejohej në mbrëmjen e Vitit të Ri në Mar-a-Lago dhe të merrte personalisht urimet e Presidentit Trump, gjë që ishte një kënaqësi dhe nder i jashtëzakonshëm. Familja jonë e ka njohur Presidentin Trump si një njeri të sjellshëm, bujar, të edukuar dhe fisnik gjate 20 viteve te fundit.
Nga ato që kam lexuar në burime publike, kuptoj se Presidenti Trump i njeh shqiptarët e Kosovës dhe ka respekt për ta. Ai e kupton dhe vlerëson në mënyrë të veçantë ndjeshmërinë e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe ndikimet shumë serioze që një konflikt mund të ketë në destabilizimin e Ballkanit. Po ashtu presidenti Trump e kupton rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje, e cila mund të arrihet vetëm përmes partnerëve të fortë dhe të besueshëm nga të dyja palët.
Emisari i Presidentit Trump, Richard Grenell ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së nuk kanë qenë kurrë në nivel më të ulët. Po ashtu ai tha se kryeministri Albin Kurti, i cili synon edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, po i mashtron qytetarët për raportet e mira.
Gjokë Paloka: Pajtohem me këtë vlerësim.
Si i keni parë qëndrimet e z. Grenell dhe a janë këto edhe qëndrimet e Presidentit Trump?
Nuk mund të flasë zyrtarisht dhe personalisht për presidentin Trump. Kam punuar shumë me udhëheqësinë politike të të gjitha partive, me liderët e biznesit si dhe me prijësit fetarë. Jam i gatshëm, kam shumë vullnet, dhe jam i aftë t’i përdor të gjitha burimet që kam në dispozicion në shtetin e Kosovës për të ndihmuar në çdo mënyrë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Cili do të jetë roli i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe i juaji personalisht në përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në?
Gjokë Paloka: Kam kultivuar marrëdhënie të forta dhe afatgjata brenda Kosovës me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje paqeje që është në përputhje me planin e paqes të Presidentit Trump gjatë administratës së tij të mëparshme.
Një ide e madhe dhe transformuese për Kosovën do te ishte krijimi i një projekti ambicioz prej 1 miliardë dollarësh – Trump Tower Kosova– në zemër të kryeqytetit. Ky projekt do të shënonte një pikë kthese për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit, duke e vendosur Kosovën në hartën e investimeve të mëdha ndërkombëtare.
Me bashkimin e biznesmenëve më të suksesshëm dhe mbështetjen e një udhëheqjeje të përkushtuar dhe të besueshme, Trump Tower Kosova do të bëhej një qendër ekskluzive e biznesit, luksit dhe inovacionit, duke krijuar mijëra vende pune dhe duke tërhequr investitorë nga e gjithë bota. Ky projekt do të ishte një simbol i ambicies dhe potencialit të Kosovës për t’u zhvilluar në një ekonomi moderne dhe konkurruese në rajon.
Si shtetas amerikan, jam i gatshëm të punoj palodhur, para së gjithash për interesat e Shteteve të Bashkuara, dhe dëshiroj ta shoh Kosovën duke ecur drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndritur.