Oda Ekonomike e Kosovës nëpërmjet një letre drejtuar partive parlamentare ka kërkuar që të shmangen zgjedhjet e reja, që rrezikojnë të mbahen në rast të moszgjedhjes së presidentit brenda afateve kushtetuese. Në këtë letër, Oda Ekonomike ka kërkuar edhe masa mbështetëse ekonomike për bizneset.
Në letër ata kanë renditur pesë pika duke bërë thirrje për bashkëpunim politik, investime e reforma strukturore.
“Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ekonomia e vendit ka nevojë për stabilitet dhe institucione funksionale. Në një thirrje publike drejtuar partive politike parlamentare në Republikën e Kosovës, Oda vlerëson se në këtë fazë të ndjeshme të zhvillimit ekonomik, vendi ka nevojë për vendimmarrje të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional, e jo për procese të reja zgjedhore që mund të thellojnë pasigurinë ekonomike dhe institucionale”, thuhet në një njoftim për media të martën.
Oda aty u ka bërë thirrje partive që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje, “duke nënvizuar se stabiliteti politik është parakusht për stabilitetin ekonomik”.
Po ashtu aty është thënë se sektori privat në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve të jashtme, për shkak të varësisë së lartë nga importi.
“Zhvillimet globale dhe rajonale mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në çmime, në zinxhirët e furnizimit dhe në nivelin e investimeve, duke rritur pasigurinë në treg”, thuhet në letër.
Bizneset kanë vlerësuar se vendi ka nevojë urgjente për rritje të investimeve të brendshme dhe të jashtme dhe për reforma që do ta bënin Kosovën më konkurruese dhe më tërheqëse për biznes.
Për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rreziqeve të mundshme për rritje të çmimeve apo çrregullime në zinxhirin e furnizimit, “kërkohet që Qeveria dhe Kuvendi të jenë të përgatitur me një paketë të qartë mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët”.
Oda u ka bërë apel bizneseve dhe opinionit publik që të shfaqin kujdes ndaj lajmeve të paverifikuara që mund të shkaktojnë panik dhe të ndikojnë negativisht në funksionim të tregut.
“Në përfundim, në emër të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon maturi politike, dialog konstruktiv dhe përgjegjësi shtetërore në funksion të zhvillimit ekonomik afatgjatë të vendit”, thuhet në reagim.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po shkon drejt fundit, ndërkohë që partitë politike parlamentare ende nuk kanë një marrëveshje që do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.
Afat për zgjedhjen e presidentit sipas kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, ka deri më 4 mars.
Haxhiu më 18 shkurt pas takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare, theksoi se afati është i qartë, por procedurat nuk mund të ecin përpara pa plotësimin e kushteve të parapara.
“Sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka duhet të përfundojë, por unë nuk mund të veproj pa i pasur nënshkrimet e kandidatëve”, u shpreh ajo.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi.
Kurti ka thënë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe procesi të zhvillohet përmes garës në Kuvend.
Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare./KOHA