Home LAJME Bislimi thotë se dialogu me Serbinë mund të përmbyllet gjatë mandatit të Kurtit

Bislimi thotë se dialogu me Serbinë mund të përmbyllet gjatë mandatit të Kurtit

0
Bislimi thotë se dialogu me Serbinë mund të përmbyllet gjatë mandatit të Kurtit

Dialogu Kosovë-Serbi me një marrëveshje gjithpërfshirëse do të përfundojë brenda një afati të caktuar që, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, përputhet me mandatin e kryeministrit Albin Kurti.

Bislimi tha se afatet kohore për arritje të marrëveshjes janë paraqitur, por ai nuk dha një datë të saktë.

“Afatet kohore faktikisht janë paraqitur, por kanë të bëjnë me njëfarë koincidence që edhe mandati i Albin Kurtit, edhe i Joe Biden edhe i Josep Borrell përputhen”, tha Bislimi për “Telegrafin”.

Bislimi theksoi se megjithatë për Kosovën është shumë me rëndësi që marrëveshja të jetë e mire, derisa u zotua se nuk do të nënshkruajnë marrëveshje e cila do të jetë në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Për neve është me rëndësi që marrëveshja fillimisht të jetë e mire dhe të mos jetë në dëm të qytetarëve, pastaj afati kohor është i një rëndësie por jo aq primare sa është kualiteti i marrëveshjes. Nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje për të cilën do ta dimë sigurt që është në dëm të qytetarëve”.

Bislimi tha se nga pala kosovare nuk ka hezitim për marrëveshje, por kjo duket se vjen nga pala serbe.

“Ka hezitim nga pala tjetër. Ne jemi duke thënë se fokusin kryesor duhet ta kemi tek marrëveshja e përgjithshme dhe ligjërisht e obligueshme, derisa pala serbe po thotë të merremi njëherë me marrëveshjet tjera të kaluara, pastaj shkojmë të marrëveshja gjithëpërfshirëse”.

Sipas tij, dinamika zgjedhore në Serbi po i bënë ata të jenë më agresiv në dialog.

“Mendoj që dinamikat zgjedhore që kanë ata në Serbi po ia imponojnë një qasje më agresive në dialog, por kjo do t’iu hakmerret palës serbe në afatgjatë”.

Ai theksoi se nëse marrëveshjet që janë nënshkruar më herët do të ishin të mira, atëherë nuk do të kishte nevojë që pas kaq vitesh të diskutohej për to por ato do të implementoheshin shumë më herët.

“Ne po flasim tash për Marrëveshjen e Asociacionit e cila daton nga viti 2013, pse po flasim në vitin 2021. Po të ishte e mirë do të ishte implementu që moti, nuk do të ishte pjesë e bisedimeve sot. Për marrëveshjen për energji nuk është deklaruar Gjykata Kushtetuese, është e nënshkruan në 25 gusht 2015, pse nuk është kryer deri sot. Më gjej një marrëveshje për të cilën mundesh me u mburr që Edita Tahiri ka bërë një punë të mirë”.

Bislimi tha se dialogut me Serbinë i kanë hyrë më kujdes, e jo me guxim.

“Edita Tahiri ju ka thënë juve se marrëveshja e fusnotës do të shkrihet si flluskë e borës. Ky është kualiteti i marrëveshjeve të qeverive të kalume dhe ky është guximi i tyre. Ne i hyjmë me kujdes, jo me guxim”./Telegrafi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here