Në prag të hapjes së sezonës verore, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Blendi Klosi, e nga i cili ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje qoftë edhe e përkohshme për eliminimin e taksës për “Rrugën e Kombit”.
Megjithatë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi foli vetëm për rëndësinë e promovimit të ofertës së përbashkët të turizmit mes dy vendeve, duke mos përmendur fare taksën prej 5 euro që paguhet për të shkuar në Shqipëri.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në të këtë takim kanë trajtuar tema që synojnë promovimin sa më të madh të bashkëpunimit të të dyja vendeve në fushën e turizmit.
Bislimi tha se kanë biseduar edhe për disa çështje që për shkak të masave anti-COVID shihen si barriera për fuqizimin e turizmit, siç është fakti se Kosova për disa shtete aplikon detyrimin e pajisjes me testin PCR.
“Diskutuam edhe për hapat që pritet të ndërmerren nga ministritë tona gjegjëse në mënyrë që rruga nga Kosova deri në destinacionin e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas të jetë sa më shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle eventuale apo barriera. Përfshirë këtu edhe kërkesën tonë që të gjendet një zgjidhje të paktën e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin në Kalimash për arsye se kjo po shkakton pastaj vonesa për turistët tanë të cilët ia mësyjnë Shqipërisë e kjo sidomos shtohet në relevanca atëherë kur kemi të bëjmë me pushime afatshkurtra gjatë vikendit dhe jashtë sezonës”, tha ai.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se turizmi është një kontribuues i rëndësishëm për ekonominë dhe buxhetin e të dyja vendeve, derisa tha se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që oferta turistike e përbashkët Kosovë-Shqipëri të jetë një realitet.
“Për të dy qeveritë tona besoj është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, turizmi është një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona, por po ashtu është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë dhe në buxhetet e vendeve tona. Prandaj, do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet. Ne do të duhet të kuptojmë se pasuria e madhe që na ka dhënë natyra në të dyja anët e bjeshkëve është një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Deti është i të gjithë shqiptarëve ashtu si bjeshkët duhet të shijohen, vizitohen dhe të trajtohen nga gjithë shqiptaria”, tha ai, raporton KP.