Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në takim me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.
Sipas Bislimit, ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020.
“Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Europian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”- ka njoftuar Qeveria.
Ai ka thënë se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog.
“Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”- ka thënë Bislimi.
Qeveria e Kosovës tutje ka njoftuar se takimi u përqëndrua në tri tema kryesore: dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit.
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak deklaroi se Ura e Ibrit duhet të hapet, por në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Ai tha se në takimin e zhvilluar sot me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e kanë diskutuar ketë çështje.
Ne gjithashtu kemi folur edhe për çështjen e urës, urës së Mitrovicës dhe hapjen e saj për transport, opinioni i qëndrimit të Bashkimit Europian mendoj se tashmë është i ditur qartë dhe unë do ta përsëris se ura duhet të hapet, por duhet të bëhet me bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne i kemi diskutuar hollësitë e këtij procesi”- u shpreh ai.
Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka njoftuar se janë marrë vesh për një takim në kuadër të dialogut mes kryenegociatorëve.
Por, Lajçak nuk e ka bërë të ditur datën e takimit./kallxo.com/