Zëvendëskryeministri Besnik Bilsimi ka thënë se Kosova dhe Serbia janë më larg njëra-tjetrës në raporte se që ishin në vitin 2011 kur nisi procesi i dialogut.
Sipas tij, atë kohë Serbia s’kishte ngritur tema për ndryshim kufijsh e as nuk kishte baza ushtarake nëpër kufi.
“Sipas meje në vitin 2022 Kosova dhe Serbia nuk janë më afër sesa që ishin në vitin 2011, por janë shumë më larg njëra-tjetrës nga koha kur filloi dialogu. Në vitin 2011 Serbia kurrë nuk do të ngriste tema në lidhje me kufijtë kurse tani nevojitej vetëm një vendim për të zbatuar marrëveshjen kur Serbia e ngriti çështjen e kufijve. Në vitin 2011, Serbia nuk i kishte 48 baza policore përgjatë kufirit me Kosovën, sot i kanë ato, dhe janë vetëm një kilometër larg kufirit me Kosovën”, ka thënë Bislimi në kuadër të panelit për “Hapat e ardhshëm për rajonin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian” në Seminarin e 102-të “Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë.
Sipas Bislimit, edhe palët në BE më shumë kanë qenë të angazhuara për të arritur marrëveshje sesa që të zbatohet ajo.
“Të gjitha përpjekjet e palëve në BE kanë qenë deri te nënshkrimi i marrëveshjes sepse nënshkrimi bëhej lajm, mund të dilnit para mediave dhe mund të pretendonit mirënjohje duke thënë se ‘falë vizionit tim dhe angazhimit tim arritëm marrëveshje’, por pas saj askush nuk ishte i interesuar se çfarë po ndodhë në terren”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka shtuar se Serbia po fshihet prapa pesëshes së Bashkimit Evropian që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës ndërsa për këto shtete ka deklaruar se e kanë lidhur njohjen me procesin e dialogut.
“Serbia duket sikur nuk ka interes për t’u marrë me seriozisht me dialogun dhe kryesisht ata merren me problematikën energjetike dhe rreshtimin krahas Rusisë… Deri më tani shohim një mungesë vullneti te pala serbe që të angazhohet në mënyrë konstruktive qoftë për normalizimin të plotë apo për zgjidhjen e ndonjë prej problemeve ekzistuese për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të kaluara”, ka deklaruar ai.
Në lidhje me liberalizimin e vizave, Bislimi u shpreh se Franca ka qenë një ndër vendet skeptike, por është punuar me të për të adresuar të gjitha shqetësimet. Sipas tij, të gjitha vendet anëtare të Bashkimi Evropian janë në një mendje për liberalizim të vizave që, sipas tij, pritet të ndodhë shumë shpejtë.
