Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen në Bruksel.
Bashkimi Europian njoftoi që temë diskutimi në takimin e 19.03.024 do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në vazhdimësi ka qenë i prerë lidhur me qëndrimin e tij se Rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatave mes palëve.
Megjithatë, ai e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Pa e përmendur dinarin, më 15.03.2024, Klinsman Kadiu, këshiltari për media i zëvendëakryeministrit Bislimi, ka deklaruar se ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe aneksin zbatues.
“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”- kishte thënë Kadiu më 15.03.2024.
Në anën tjetër, Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka thënë se para së gjithash do të vazhdojë diskutimi i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.
Ndërsa, ka thënë se do të ketë edhe pika të tjera për të diskutuar mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia.
Stano ka shtuar se në agjendën e tqkimit të datës 19.03.2024 është edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.