Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se sulmi në Banjskë është shembull që tregon se gjithmonë mund të fillohet ndonjë sulm, e sipas tij, Kosova duhet të jetë gati për luftë. Ai ka deklaruar për mediumin ukrainas “European Pravda”.
Ai ka thënë se një luftë konvencionale aktualisht është e pamundur.
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Por, një luftë konvencionale është e pamundur tani, pasi ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, siç ka treguar shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të përgatitemi që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, është shprehur Bislimi në një intervistë të publikuar më 26 prill.
E, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se sulmi në Banjskë më 24 shtator mund të kishte sjellë më tepër viktima. Ai ka shtuar se serbët që sulmuan në Banjskë ku u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishin të stërvitur dhe kishin synim pushtimin e veriut.
“Ata kishin armë që janë në shërbim të ushtrisë serbe – për më tepër, këta njerëz ishin të trajnuar posaçërisht, duke jetuar në kazermat e ushtrisë serbe. Duket se kishim të bënim me një tentim sulmi hibrid për të pushtuar veriun e Kosovës – diçka e ngjashme me atë që bëri Rusia në 2014 në Krime dhe Donbas”, ka theksuar ai.
Bislimi ka theksuar se “ka arsye për të besuar se Rusia ishte e përfshirë drejtpërdrejt në sulm”.
“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit që nuk është shumë larg kufirit me Serbinë ekziston e ashtuquajtura ‘Qendra Humanitare Ruse’ e që zyrtarisht është e angazhuar në sigurinë nga zjarri, por askush s’ka parë ndonjë rezultat të punës së saj”, ka shtuar zëvendëskryeministri.