LAJME

Bislimi dhe Szunyogu nënshkruajnë marrëveshjen “IPA 2022” me vlerë 62 milionë euro

Bislimi dhe Szunyogu nënshkruajnë marrëveshjen “IPA 2022” me vlerë 62 milionë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Mars 2023, 09:45

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen për programin vjetor “IPA 2022”.

Bislimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes tha se e njëjta kap vlerën e mbi 91 milionë eurove.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje sot, Kosova përfiton edhe mbi 62 milionë euro nga BE-ja të cilat do të zbatojnë një sërë projektesh. Përveç fondeve të ndara nga BE-ja, fondet do të shtohen edhe nga buxheti jonë me mbi 4 milionë euro dhe po ashtu do të vijnë financime nga partnerët tjerë bilateral në masën e 24.88 milionë euro – gjithsej kjo marrëveshje zbaton fonde prej 91.83 milionë euro”, tha Bislimi.

Beslimi, mes tjerash, bëri të ditur se kjo është marrëveshja e tretë e nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së në kuadër të IPA-s.

“Sot kemi kënaqësinë të nënshkruajmë marrëveshjen e re financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022. Kjo është marrëveshja e tretë me radhë që po e nënshkruajmë në kuadër të programeve vjetore IPA 3”.

“Deri tani kanë hyrë në fuqi dy marrëveshje për IPA 3, njëra për programin IPA 2021 dhe tjera për IPA 2023 – kjo e fundit e orientuar në mbështetjen e sektorit të energjisë. Javën e kaluar ne pranuam pagesën e parë nga BE-ja për buxhetin tonë për IPA 2023 në vlerë prej 67.5 milionë eurove që përbën 90 për qind të shumës totale që është 70 milionë euro” u shpreh Bislimi.

Ndërkaq ambasadori Szunyog tha se BE-ja jo vetëm që mbështetë Kosovën financiarisht, por mbetet edhe partner e mik i saj.

“BE-ja jo vetëm që mbetet ofruesi më i madh i asistencës financiare në Kosovë, por më e rëndësishmja është që BE-ja vazhdon të mbetet partner dhe mik i Kosovës. Angazhimi jonë në Kosovë mbështet zhvillimin ekonomik”, tha Szunyog.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika