Gjatë qëndrimit në Uashington për takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u pritën nga përfaqësues të lartë të të dyja institucioneve financiare.
“Në kuadër të takimeve me Bankën Botërore, Bislimi dhe Murati u takuan me Shefen Menaxhuese të Operimeve, znj. Anna Bjerde dhe Zëvendës Shefen për Evropë të Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani. Diskutimet përgjatë takimeve u fokusuan rreth situatës ekonomike globale e asaj vendore. Një theks i veçantë iu dha planit zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, si dhe projekteve aktuale dhe të mundshme me Bankën Botërore mbi investime infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas njoftimit, Bislimi dhe Murati takuan zëvendës shefin menaxhues të FMN-së, Bo Li dhe Shefin e FMN-së për Evropë, Alfred Kammer.






