Presidenti amerikan, Donald Trump, në një prononcim për gazetarët në avionin presidencial Air Force One, teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se ekzistojnë “mundësi shumë të mira” që Ukraina dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje paqeje, pas raundit të fundit të bisedimeve të zhvilluara në Florida.
Megjithatë, ai theksoi se korrupsioni në Ukrainë ishte problem dhe nuk ndihmonte në negociatat e paqes.
Bisedimet mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të dielën ishin produktive sipas Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, por më shumë punë është e nevojshme për të shkuar drejt marrëveshjes së paqes.
Rubio u takua me një delegacion ukrainas në Florida, i drejtuar nga kryenegociatori i ri i Kievit, Rustem Umerov. Ai zë vendin e Andri Yermak, i dorëhequr mes skandalit për korrupsion. Të pranishëm në takim ishin edhe i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Wittkof dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Witkoff do të shkojë këtë javë në Moskë për bisedime: “Ka ende shumë punë për t’u bërë, por sot ishte sërish një seancë shumë produktive dhe e dobishme ku mendoj se u bë përparim shtesë. Ne vazhdojmë të jemi realistë për vështirësitë, por edhe optimistë, veçanërisht duke konsideruar se ekziston një vizion i përbashkët se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përfundimin e luftës. Ka të bëjë me sigurimin e së ardhmes së Ukrainës, një të ardhme që shpresojmë të jetë më e begatë se kurrë më parë”.
Edhe kryenegociatori ukrainas i cilësoi si produktive bisedimet, duke thënë se SHBA po i dëgjon dhe mbështet. Megjithatë, një burim i cituar nga AFP tha se takimi nuk kishte qenë aspak i lehtë.
