Në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.
Instituti GAP ka bërë një hulumtim me titull “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”.
Përveç remitencave, të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, rënie vërehet në investimet e diasporës në patundshmëri në Kosovë dhe blerje të gjësendeve për familjarët. Ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë tonë, sipas këtij instituti, janë të hyrat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm. Para pandemisë, shpenzimet e diasporës gjatë vizitave në Kosovë llogaritej të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro, apo 4.6% të BPV-së në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi i ekonomisë së Kosovës pritet të jetë i vogël, rreth 0.55% deri 1.83% të BPV-së, shkruan indeksonline, transmeton Albinfo.ch.





