Interesimi për t’u vaksinuar ka rënë së fundmi në Kosovë.
Në 24 orët e fundit në vend janë administruar 2 mijë e 25 doza të vaksinave.
Sipas kësaj ministrie, numri i vaksinave të administruara deri tani ka shkuar në 1 milion e 599 mijë e 372.
847 mijë e 7 persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës.
“Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon: Në 24 orët e fundit janë dhënë 2.025 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.599.372 doza të vaksinës. Deri më sot 752.365 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Nga 1.544 testime, 17 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19”, është bërë e ditur nga kjo ministri.
Ndryshe ditë më parë në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë është theksuar se kanë doza të mjaftueshme të vaksinave antiCOVID në stoqe.
Por pavarësisht kësaj duket se qytetarët po vazhdojnë të hezitojnë vaksinimin antiCOVID.
Poashtu si edhe në shumë vende të tjera është paraparë mundësia e një doze të tretë të vaksinës antiCOVID, por që e njëjta do tu jepet vetëm atyre që tashmë kanë marrë dy dozat e vaksinës antiCOVID, por që nuk kanë krijuar antitrupa të mjaftueshëm.
Për dallim nga vendet e rajonit dhe ato të botës ku situata me koronavirus është shumë e keqe, në Kosovë situata po vazhdon të jetë e qetë dhe me numër të vogël të të infektuarve.