Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një telegram urimi për 16-vjetorin e Pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden.
Në urim është theksuar miqësia dhe partneriti i qëndrueshëm në mes të dy kombeve, megjithatë Biden i ka dërguar mesazh lidershipit të Kosovës që t’i zbatojë marrëveshjet me Serbinë, të arritura në kuadër të dialogut.
“Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një miqësi të qëndrueshme dhe partneritet – të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, të sigurt dhe të suksesshëm. SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ne po ashtu vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse me Serbinë – një hap i rëndësishëm përpara njohjes reciproke në fund (të procesit). Bashkë me vendet e rajonit dhe botës, SHBA-ja e inkurajon lidershipin e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e tij, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi”, thuhet në urim.







