Janë betuar kryetarët e rinj të Zubin-Potokut dhe Zveçanit.
Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri është betuar në ndërtesën e Zyrës për komunitete ndërkaq kryetari i Zveçanit, Ilir Peci është betuar në fshatin Boletin në shkollën fillore “Isa Boletini” bashkë me asamblistë.
Zeqiri ka thënë se do të jenë në nivel të përgjegjësisë për t’u ofruar shërbime të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Uroj që ne tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke u ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin-Potokut pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet, të gjitha kërkesat, t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serbe”, ka theksuar Zeqiri.
Lidhur me komentet e ambasadorit amerikan se kryetarët në veri do të jenë teknikë për nga funksioni ai tha se ka kompetenca të plota që ja jep ligji dhe Kushtetuta dhe në të njëjtën kohë do të jetë në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.