“E dua pjesën e pasurisë të prindërve të mi sepse jam vajza e tyre dhe kjo më takon”. Kështu e fillon rrëfimin Shpresa për betejën gati 10-vjeçare që ka me vëllezërit e saj për ndarjen e trashëgimisë familjare.Shpresa, identiteti i vërtetë i të cilës është i njohur për redaksinë, ka krijuar familjen e saj, ka fëmijë në moshë madhore dhe punon në një nga institucionet publike në Kosovë.Ajo tregon se pasuria e babait, i cili ka vdekur vite më parë, llogaritet në vlerë të lartë financiare, ku ka shtëpi, lokale dhe disa ari tokë në qendër të njërit nga qytetet më të mëdha të Kosovës, ku një ari tokë llogaritet me mijëra euro.
“Si vajzë e asaj familjeje, si e lindur dhe e rritur në atë shtëpi, unë kam kontribuar ndoshta më shumë se vëllezërit”, thotë Shpresa.Ajo tregon se vëllezërit në asnjë mënyrë nuk po pranojnë që ta ndajnë pasurinë në mënyrë të barabartë.“Arsyeja është që të pasurohen për vete dhe është patriarkalizmi në fuqi, dominimi i meshkujve kudo në pasurinë e prindërve”, thotë Shpresa.
Pozita e grave në lidhje me të drejtën e tyre për trashëgimi, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, është e definuar në mënyrë të qartë, ku thuhet se ndarja e pasurisë bëhet në mënyrë të barabartë pa përjashtuar anëtarët në baza gjinore. Ligji për trashëgimin përcakton se “të gjithë personat fizikë, në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.Trashëgimtarët ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adoptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat.Por, edhe ligjet sfidohen nga traditat dhe zakonet në Kosovë, pasi kërkesa e motrave për trashëgimi karshi vëllezërve, ende konsiderohet “turp” dhe ato përjashtohen nga familja, thotë Valbona Salihu, drejtoreshë ekzekutive në Shoqatën e Juristëve Norma. Kjo shoqatë ofron ndihmë juridike dhe evokim falas për barazi gjinore.Në emër të harmonisë familjare, vëllazërore apo edhe për shkak të mashtrimit, frikës nga anëtarët meshkuj përfitues, sipas Salihut, gratë heqin dorë nga trashëgimia.“Nëse të donë vëllai vetëm për pasuri, nuk të duhet, pasi, në disa raste largohen nga familja. Realiteti është i tillë që nëse e kërkon pasurinë, nuk ke të drejtë të shkosh as te prindërit e lëre më te vëllezërit”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.
Të njëjtin fat ka edhe Shpresa. Që në momentin që ka bërë kërkesë për pronën që i takon, ajo nuk ka kontakte me vëllezërit e saj.Heqja dorë në mënyrë vullnetare nga trashëgimia është në kuadër të Ligjit për trashëgimi. Në nenin 130 të këtij ligji thuhet se trashëgimtari mund të heqë dorë nga trashëgimia me deklaratë të dhënë pranë gjykatës gjersa të përfundojë seanca mbi trashëgimin. Heqja dorë vlen edhe për pasardhësit e atij që ka hequr dorë.Por, sipas Salihut, ky nen po keqpërdoret nga vëllezërit, duke kërkuar nga gratë që të mos marrin vendime të shpejta për të hequr dorë nga prona e trashëguar.“Mendoj që ky nen duhet të ngrihet për një periudhë pesë ose 10-vjeçare, kur të përmirësohet gjendja, të vetëdijesohen burrat dhe gratë për barazi gjinore në prona, e vetëm atëherë të kthehet prapë”, thekson ajo.Shpresa thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet së kërkuari pjesën e pasurisë që i takon. Tash e disa vjet, ajo këtë çështje e ka adresuar në organet e drejtësisë, por thotë se është e zhgënjyer me neglizhimin që i është bërë lëndës së saj.“Unë e fajësoj shumë gjykatën që ka ardhur deri te kjo zvarritje. Pas më shumë se pesë vjet, nuk ka filluar asnjë seancë dhe përsëri është ndërprerë duke ndërruar gjyqtarët herë pas here dhe ka ardhur deri këtu që të mos mbahen seancat, rrjedhimit duke përfunduar procesi”, thotë ajo.Se këto lëndë zvarriten në gjykata mbi pesë vjet e thotë edhe Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë.Zvarritje të tilla, sipas saj, i dekurajojnë gratë që të kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre, njëherësh edhe humb bisedimi i qytetarëve tek autoritetet e drejtësisë.“Zvarritja është një problem shumë i madh. Kur ato shohin që një rast që ka paraqitur po merr shumë kohë që të përfundojë dhe në ndërkohë janë presionet që iu bëhen që të heqin dorë. Prapë edhe pse i iniciojnë rastet, lindin problemet, nuk stabilizohen që të vazhdojnë jetën e tyre pa probleme, përkundër se ligjërisht iu takon një gjë e tillë. Gjithë kjo zvarritje bëhet e tepërt dhe shumica e grave që iniciojnë rastet bien në depresion, pasi e kanë shumë problem faktin që rastet e tyre nuk zgjidhen sa më shpejt”, thekson Rezniqi.Shpresa thotë se është e vështirë që të ndërrohet mentaliteti i shoqërisë “se pasuria e grave është te burrat e tyre”. Por, Shpresa thotë se nuk do të “përulet para zakoneve”.“Duke u nisur nga rasti im, nuk mund të them se ka asnjë më të vështirë sesa të ndryshohet mentaliteti kosovar në lidhje me trashëgiminë e prindërve për vajzat dhe gratë. Një prej arsyeve që unë kam filluar një proces gjyqësor është që të jem një shembull edhe për gratë tjera se si duhet të veprojnë dhe të jenë këmbëngulëse në marrjen e pasurisë që i takon”, thekson ajo.Sipas organizatave në Kosovë, gratë trashëgojnë rreth 4 për qind të pasurisë nga prindërit e tyre dhe kjo shifër nuk ka ndryshuar që disa vjet. Ndërkaq, gratë si pronare janë mbi 18 për qind. Sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale nga rreth 570 mijë prona në Kosovë, vetëm rreth 11 mijë janë pronare gratë.