Në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, e mbijetuara e vetme gjatë sulmit ndaj familjes Jashari 28 vite më parë, Besarta Hamëz Jashari ka ndarë një rrëfim emocional për kujtimet familjare dhe mungesën e babait të saj, duke theksuar se këto ditë për të dhe familjen mbeten të mbushura me ndjenja të forta.
Ajo ka treguar se këtë përvjetor e ka nisur në odën e familjes, ashtu si dikur, por këtë herë pa praninë e babait të saj, Hamëz Jashari, i cili, sipas saj, ishte ai që i jepte forcë shpirtërore dhe vetëbesim. Në vend të tij, ajo thotë se aty e gjeti mixhën e saj, Rifat Jashari, tek i cili ndien një pjesë të babait të saj.
Në rrëfimin e saj, Jashari kujton edhe një moment nga janari i vitit 1996, kur mixha Rifat kishte ardhur ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në një shtëpi të pabanuar të familjes. Ajo tregon se si, kur ishte fëmijë, bashkë me të tjerët kishin vërejtur një “të huaj” në shtëpinë e dytë, derisa më pas kuptuan se bëhej fjalë për mixhën e tyre.
Sipas saj, vetëm pas shumë vitesh e ka kuptuar thellësinë e atij momenti, kur ai shikonte fëmijët e tij nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte. Sot, pas tri dekadash, ajo thotë se ai e gjen ngushëllimin duke kaluar kohë me nipat dhe mbesat.
Në fund të mesazhit të saj, Besarta Jashari ka uruar përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës.