Raportit i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tregon se sipas vlerësimeve fillestare, pas tkurrjes prej 5.3 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës u rrit për 10.5 për qind në vitin 2021.Sipas raportit, kjo rimëkëmbje e fuqishme u nxit nga një zgjerim i fortë i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, i mbështetur nga sektori i jashtëm i favorshëm dhe flukset e ringjallura nga diaspora.Po ashtu thuhet se edhe konsumi i brendshëm dhe investimet u rritën.Raporti i këtij viti, i cili analizon trendet në 38 ekonomi në të cilat investon BERZH-i, titullohet “Rritja e Sistemit: Sigurimi i Dividendit Digjital”.
Sipas tyre, digjitalizimi mori hov të madh gjatë krizës COVID-19, pasi pjesë të mëdha të ekonomisë në shumë vende kaluan online brenda pak ditësh.“Sipas raportit, përdorimi i teknologjisë digjitale nga njerëzit duket se pengohet nga nivelet e ulëta të shkathtësive digjitale në shumë vende. Veç kësaj, mungesa e shkathtësive digjitale në popullatën në moshë pune të ekonomive në rajonet e BERZH-it, po përkeqësohet edhe nga ikja e trurit – migrimi i jashtëm i personave me nivele më të larta arsimimi dhe, në veçanti, shkathtësi më të mira digjitale”, thuhet në njoftimin e BERZH-it duke iu referuar raportit.





